| Chapter 10 |
1 | Mbasi u nis prej andej, Jezusi shkoi në krahinën e Judesë gjatë Jordanit dhe përsëri u mblodhën rreth tij turma; ai përsëri filloi t`i mësojë, siç e kishte zakon. |
2 | Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: ``A është e ligjshme që burri ta lë gruan?``. |
3 | Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ``Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?``. |
4 | Ata thanë: ``Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan``. |
5 | Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ``Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull; |
6 | por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. |
7 | Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; |
8 | dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. |
9 | Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!``. |
10 | Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje. |
11 | Atëherë ai u tha atyre: ``Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të. |
12 | Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën. |
13 | Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t`i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë. |
14 | Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: ``I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. |
15 | Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të``. |
16 | Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta. |
17 | Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ``Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?``. |
18 | Dhe Jezusi i tha: ``Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. |
19 | Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"``. |
20 | Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: ``Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time``. |
21 | Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ``Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq``. |
22 | Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. |
23 | Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ``Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!``. |
24 | Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ``O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria. |
25 | Éshtë më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë``. |
26 | Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ``Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?``. |
27 | Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ``Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë``. |
28 | Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: ``Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur``. |
29 | Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ``Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, |
30 | që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme. |
31 | Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët``. |
32 | Ata ishin në udhëtim për t`u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t`u thotë çfarë do t`i ndodhte: |
33 | ``Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t`u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, |
34 | të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet``. |
35 | Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: ``Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë``. |
36 | Dhe ai u tha atyre: ``Çfarë doni të bëj për ju?`` |
37 | Ata i thanë: ``Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde``. |
38 | Dhe Jezusi u tha atyre: ``Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?``. Ata i thanë: ``Po, mundemi``. |
39 | Dhe Jezusi u tha atyre: ``Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar, |
40 | por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur``. |
41 | Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit. |
42 | Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: ``Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre; |
43 | por kjo s`duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; |
44 | dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve. |
45 | Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave``. |
46 | Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte. |
47 | Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ``Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!``. |
48 | Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: ``Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!``. |
49 | Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: ``Merr zemër, çohu, ai po të thërret!``. |
50 | Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi. |
51 | Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: ``Çfarë do që unë të të bëj?``. I verbëri i tha: ``Rabboni, që të më kthehet të parit!``. |
52 | Dhe Jezusi i tha: ``Shko, besimi yt të shëroi``. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë. |