| Chapter 3 |
1 | Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë. |
2 | Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin. |
3 | Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: ``Çohu në mes të të gjithëve!``. |
4 | Dhe u tha atyre: ``A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?``. Por ata heshtnin. |
5 | Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ``Shtrije dorën tënde!``. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra. |
6 | Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin. |
7 | Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea; |
8 | dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai. |
9 | Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte. |
10 | Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin. |
11 | Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ``Ti je Biri i Perëndisë!``. |
12 | Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai. |
13 | Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai. |
14 | Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t`i dërgonte të predikojnë, |
15 | dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët. |
16 | Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër; |
17 | Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës"; |
18 | Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi, |
19 | dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi. |
20 | Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s`mund të hanin. |
21 | Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ``Nuk është në vete``. |
22 | Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: ``Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve``. |
23 | Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ``Si mund Satanai të dëbojë Satananë? |
24 | Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë. |
25 | Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë. |
26 | Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi! |
27 | Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t`ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t`ia plaçkitë shtëpinë. |
28 | Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t`u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë; |
29 | po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm``. |
30 | Sepse ata thoshnin: ``Ai ka një frymë të ndyrë!``. |
31 | Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin. |
32 | Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: ``Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë``. |
33 | Por ai u përgjigj atyre duke thënë: ``Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?``. |
34 | Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: ``Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! |
35 | Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!``. |