| Chapter 2 |
1 | Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t`i hap sytë për të parë atë që do të më thotë dhe çfarë do të duhet t`i përgjigjem lidhur me ankesën e bërë. |
2 | Pastaj Zoti m`u përgjigj dhe tha: "Shkruaje vegimin tënd dhe gdhende mbi rrasa, që të mund të lexohet shpejt. |
3 | Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; në se vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë. |
4 | Ja, shpirti i është krenuar, nuk është i drejtë, por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij. |
5 | Përveç kësaj vera e tradhëton njeriun krenar dhe kështu ai nuk rri në shtëpi. Ai, pra, e shton lakminë e tij si Sheoli dhe është si vdekja, sepse kurrë nuk është i kënaqur, por mbledh rreth vetes tërë kombet dhe tërë popujt. |
6 | Tërë këta a nuk do të fillojnë vallë të përdorin një proverb kundër tij dhe një gjëzë tallëse kundër tij? Ata do të thonë: "Mjerë ai që grumbullon gjëra që nuk janë të tijat (por deri kur?) dhe kush ngarkohet me pengje!". |
7 | A nuk do të ngrihen vallë papritur kreditorët e tu dhe nuk do të zgjohen torturuesit e tu? Dhe ti do të bëhesh preja e tyre. |
8 | Duke qenë se ti ke plaçkitur shumë kombe, tërë kusuri i popujve do të të plaçkitë ty për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës që i është bërë vendit, qyteteve dhe tërë banorëve të tij. |
9 | Mjerë ai që është i pangopur për fitime të mbrapshta për shtëpinë e tij, për të vendosur folenë e tij lart dhe për t`i shpëtuar fuqisë së fatkeqësisë. |
10 | Ti ke programuar turpin e shtëpisë sate, duke shfarosur shumë popuj, dhe ke mëkatuar kundër vetvetes. |
11 | Sepse guri do të këlthasë nga muri dhe trari do të përgjigjet nga dyshemeja. |
12 | Mjerë ai që ndërton një qytet me gjak dhe themelon një qytet me paudhësi! |
13 | Ja, a nuk vjen vallë nga Zoti i ushtrive që popujt të lodhen për zjarrin dhe kombet të lodhen për asgjë? |
14 | Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë të Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin. |
15 | Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit të tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh për të parë lakuriqësinë e tij! |
16 | Ti do të ngopesh me turp dhe jo me lavdi; pi edhe ti dhe mosrrethprerja jote le të zbulohet lakuriq. Kupa në të djathtë të Zotit do të drejtohet nga ti dhe poshtërsia do të mbulojë lavdinë tënde. |
17 | Sepse dhuna e ushtruar në Liban do të të mbulojë, dhe shkatërrimi i kafshëve do të të mbushë me tmerr, për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës së ushtruar mbi vendin, qytetet dhe tërë banorët e tij. |
18 | Çfarë dobie sjell figura e gdhendur, kur gdhendësi që e ka bërë, apo një figurë e shkrirë që të mëson gënjeshtrën, që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij, duke fabrikuar idhuj të heshtur? |
19 | Mjerë ai që i thotë drurit: "Zgjohu!", apo gurit të heshtur: "Çohu!". A mund t`ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete. |
20 | Por Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij. |