| Chapter 3 |
1 | Pastaj më tha: "O bir njeriu, ha atë që gjen, ha këtë rrotull, pastaj shko dhe foli shtëpisë së Izraelit". |
2 | Kështu unë hapa gojën dhe ai më vuri që të ha atë rrotull. |
3 | Pastaj më tha: "O bir njeriu, ushqeje barkun tënd dhe mbushi zorrët e tua me këtë rrotull që po të jap". Kështu unë e hëngra dhe u bë në gojën time i ëmbël si mjaltë. |
4 | Më tha akoma: "O bir njeriu, nisu, shko në shtëpinë e Izraelit, u trego atyre fjalët e mia, |
5 | sepse nuk je dërguar te një popull me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, por në shtëpinë e Izraelit, |
6 | jo te shumë popuj me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, fjalët e të cilëve ti nuk i kupton. Me siguri, po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar. |
7 | Por shtëpia e Izraelit nuk do të dojë të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua. Në fakt tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe. |
8 | Ja, unë e bëra fytyrën tënde të fortë kundër fytyrës së tyre dhe e bëra ballin tënd të fortë kundër ballit të tyre. |
9 | Unë e bëra ballin tënd si një diamant, më të fortë se stralli; mos ki frikë prej tyre, mos u tremb nga ata, sepse janë një shtëpi rebele". |
10 | Pastaj më tha: "Bir njeriu, prano në zemrën tënde tërë fjalët që do të të them dhe dëgjoji me veshët e tua. |
11 | Dhe nisu, shko te ata që janë në robëri, te bijtë e popullit tënd, folu dhe u thuaj: "Kështu thotë Zoti, Zoti", edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të të dëgjojnë". |
12 | Pastaj Fryma më ngriti dhe dëgjova prapa meje zhurmën e një potereje të madhe që thoshte: "E bekuar qoftë lavdia e Zotit nga banesa e tij!". |
13 | Dëgjova gjithashtu zhurmën e krahëve të qenieve të gjalla që përplaseshin njëra kundrejt tjetrës, zhurmën e rrotave pranë tyre dhe zhurmën e një potereje të madhe. |
14 | Kështu Fryma më ngriti dhe më mori me vete; dhe unë shkova plot trishtim me indinjatën e frymës time; por dora e Zotit ishte e fortë mbi mua. |
15 | Kështu arrita te ata që ishin në robëri në Tel-abib pranë lumit Kebar dhe u ndala atje ku ata banonin, qëndrova i hutuar shtatë ditë në mes tyre. |
16 | Në mbarim të shtatë ditëve ndodhi që fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë: |
17 | "Bir njeriu, të kam caktuar si roje për shtëpinë e Izraelit; kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t`i lajmërosh nga ana ime. |
18 | Në rast se unë i them të pabesit: "Me siguri ke për të vdekur", dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij. |
19 | Por në qoftë se ti e lajmëron të pabesin dhe ai nuk heq dorë nga pabesia e tij dhe nga jeta e tij e keqe, ai do të vdesë në paudhësinë e tij, por ti do ta kesh shpëtuar shpirtin tënd. |
20 | Por në qoftë se më pas një njeri i drejtë heq dorë nga ndershmëria e tij dhe kryen paudhësi, unë do ti vë një pengesë përpara dhe ai do të vdesë; sepse ti nuk e ke lajmëruar dhe ai do të vdesë në mëkatin e tij, dhe gjërat e drejta që ai ka bërë, nuk do të kujtohen më, por unë do t`i kërkoj llogari dorës sate për gjakun e tij. |
21 | Por në rast se ti njofton të drejtin që të mos mëkatojë dhe ai nuk mëkaton, ai me siguri do të jetojë sepse u paralajmërua, dhe ti do të kesh shpëtuar shpirtin tënd". |
22 | Atje, pra, ishte dora e Zotit mbi mua dhe më tha: "Ngrihu, dil në fushë dhe atje unë do të flas". |
23 | Kështu u çova dhe dola në fushë, dhe atje ishte lavdia e Zotit, ashtu si lavdia që kisha parë pranë lumit Kebar, dhe unë rashë mbi fytyrë. |
24 | Por Fryma hyri te unë, më bëri të çohem më këmbë dhe më foli duke thënë: "Shko, mbyllu në shtëpinë tënde. |
25 | Dhe ja, o bir njeriu, ty do të vihet litarë, me ato do të lidhin dhe kështu nuk do të kesh mundësi të dalësh në mes tyre. |
26 | Unë do të bëj që gjuha jote të ngjitet në qiellzën tënde dhe do të mbetesh memec, kështu nuk do të jesh më për ta dikush që i qorton, sepse janë një shtëpi rebele. |
27 | Por kur do të të flas, do të të hapë gojën dhe ti do t`u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti, Zoti". Ai që do të dëgjojë le të dëgjojë; dhe ai që refuzon të dëgjojë, le të refuzojë, sepse janë një shtëpi rebele". |