| Chapter 23 |
1 | Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara; |
2 | dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh. |
3 | Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues. |
4 | Mos u lodh për t`u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt. |
5 | A do t`i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit. |
6 | Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme; |
7 | sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty. |
8 | Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla. |
9 | Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate. |
10 | Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve, |
11 | sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje. |
12 | Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë. |
13 | Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë; |
14 | do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli. |
15 | Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë; |
16 | zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta. |
17 | Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit; |
18 | sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet. |
19 | Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë. |
20 | Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit; |
21 | sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka. |
22 | Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë. |
23 | Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim. |
24 | Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t`ia ndjejë gëzimin. |
25 | Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur. |
26 | Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia. |
27 | Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë. |
28 | Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë. |
29 | Për cilin janë "ah-ët", për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur? |
30 | Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar. |
31 | Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë! |
32 | Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër. |
33 | Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura. |
34 | Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes. |
35 | Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t`i kërkoj përsëri!". |