Albanian Bible

Fjalët e urta 18

Fjalët e urta

Return to Index

Chapter 19

1

  Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla. 

2

  Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë. 

3

  Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit. 

4

  Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij. 

5

  Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim. 

6

  Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata. 

7

  Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t`u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më. 

8

  Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën. 

9

  Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë. 

10

  Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat. 

11

  Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t`i kapërcejë fyerjet. 

12

  Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar. 

13

  Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme. 

14

  Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti. 

15

  Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria. 

16

  Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur. 

17

  Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t`ia kthejë ato që i ka dhënë. 

18

  Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij. 

19

  Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë. 

20

  Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua. 

21

  Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar. 

22

  Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar. 

23

  Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe. 

24

  Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë. 

25

  Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri. 

26

  Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp. 

27

  Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë. 

28

  Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë. 

29

  Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve. 

Fjalët e urta 20

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: