Albanian Bible

Fjalët e urta 2

Fjalët e urta

Return to Index

Chapter 3

1

  Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, 

2

  sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. 

3

  Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; 

4

  do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. 

5

  Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; 

6

  pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. 

7

  Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; 

8

  kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. 

9

  Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; 

10

  hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht. 

11

  Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, 

12

  sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen. 

13

  Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. 

14

  Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. 

15

  Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. 

16

  Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. 

17

  Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. 

18

  Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje. 

19

  Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë. 

20

  Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë. 

21

  Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. 

22

  Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde. 

23

  Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. 

24

  Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. 

25

  Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, 

26

  sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak. 

27

  Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh. 

28

  Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme. 

29

  Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty. 

30

  Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe. 

31

  Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, 

32

  sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm. 

33

  Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. 

34

  Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. 

35

  Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend. 

Fjalët e urta 4

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: