| Chapter 108 |
1 | Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time. |
2 | Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin. |
3 | Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve. |
4 | Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë. |
5 | Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën, |
6 | me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu. |
7 | Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit. |
8 | Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im; |
9 | Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi". |
10 | Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom? |
11 | A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona? |
12 | Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë. |
13 | Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t`i shtypë armiqtë tanë. |