Albanian Bible

Psalmet 105

Psalmet

Return to Index

Chapter 106

1

  Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 

2

  Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? 

3

  Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. 

4

  Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, 

5

  me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. 

6

  Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. 

7

  Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. 

8

  Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. 

9

  I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. 

10

  I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. 

11

  Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. 

12

  Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. 

13

  Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. 

14

  U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. 

15

  Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. 

16

  Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, 

17

  toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. 

18

  Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. 

19

  Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, 

20

  dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar. 

21

  Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, 

22

  mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. 

23

  Prandaj ai foli t`i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t`i shkatërronte. 

24

  Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, 

25

  por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. 

26

  Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t`i rrëzonte në shkretëtirë, 

27

  dhe se do t`i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t`i shpërndante në të gjitha vendet. 

28

  Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. 

29

  E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. 

30

  Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. 

31

  Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. 

32

  Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, 

33

  sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. 

34

  Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; 

35

  por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; 

36

  u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; 

37

  ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, 

38

  dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. 

39

  Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. 

40

  Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. 

41

  I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. 

42

  Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. 

43

  Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. 

44

  Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, 

45

  dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua. 

46

  Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. 

47

  Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. 

48

  I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja. 

Psalmet 107

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: