| Chapter 84 |
1 | Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive! |
2 | Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë. |
3 | Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im. |
4 | Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela) |
5 | Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua! |
6 | Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime. |
7 | Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion. |
8 | O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela) |
9 | Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd. |
10 | Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve. |
11 | Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. |
12 | O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti! |