| Chapter 73 |
1 | Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra. |
2 | Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. |
3 | Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij. |
4 | Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë. |
5 | Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë. |
6 | Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe. |
7 | Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë. |
8 | Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë. |
9 | E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën. |
10 | Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre, |
11 | dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?". |
12 | Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre. |
13 | Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. |
14 | Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes. |
15 | Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu", ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu. |
16 | Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m`u duk shumë e vështirë. |
17 | Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre. |
18 | Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. |
19 | Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri! |
20 | Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë. |
21 | Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda, |
22 | unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë. |
23 | Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. |
24 | Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi. |
25 | Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. |
26 | Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. |
27 | Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje. |
28 | Por sa për mua, e mira është t`i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua. |