| Chapter 69 |
1 | Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë. |
2 | Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete. |
3 | Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim. |
4 | Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur. |
5 | O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur. |
6 | Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit. |
7 | Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën. |
8 | Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime. |
9 | Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua. |
10 | Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim. |
11 | Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje. |
12 | Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve. |
13 | Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar. |
14 | Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella. |
15 | Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua. |
16 | Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. |
17 | Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. |
18 | Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi. |
19 | Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje. |
20 | Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë. |
21 | Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull. |
22 | U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth. |
23 | Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht. |
24 | Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate. |
25 | Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre, |
26 | sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur. |
27 | Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde. |
28 | U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve. |
29 | Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë. |
30 | Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde. |
31 | Dhe kjo do t`i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj. |
32 | Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj. |
33 | Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij. |
34 | E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to. |
35 | Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t`i zotërojnë. |
36 | Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty. |