| Chapter 50 |
1 | Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim. |
2 | Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen. |
3 | Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe. |
4 | Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij, |
5 | dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit". |
6 | Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela) |
7 | "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt. |
8 | Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara. |
9 | Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua. |
10 | Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. |
11 | I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. |
12 | Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat. |
13 | A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi? |
14 | Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit. |
15 | Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh". |
16 | Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time, |
17 | ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia? |
18 | Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën. |
19 | Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime. |
20 | Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate. |
21 | Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu. |
22 | Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot. |
23 | Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t`i tregoj shpëtimin e Perëndisë". |