| Chapter 25 |
1 | Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim. |
2 | O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua. |
3 | Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak. |
4 | O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. |
5 | Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës. |
6 | Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme. |
7 | Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate. |
8 | Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t`u mësojë rrugën mëkatarëve. |
9 | Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t`u mësojë të përulurve rrugën e tij. |
10 | Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij. |
11 | Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe. |
12 | Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t`i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë. |
13 | Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën. |
14 | Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij. |
15 | Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m`i nxjerrë këmbët nga rrjeta. |
16 | Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar. |
17 | Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia. |
18 | Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia. |
19 | Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë. |
20 | Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti. |
21 | Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti. |
22 | O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij. |