| Chapter 5 |
1 | Ditën e tretë, Esteri veshi rrobën mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit të mbretit, përballë apartamentit të mbretit. Mbreti ishte ulur mbi fronin mbretëror në pallatin mbretëror, përballë hyrjes së pallatit. |
2 | Sa e pa mbreti mbretëreshën Ester më këmbë në oborr, ajo fitoi simpatinë e tij. Kështu mbreti zgjati në drejtim të Esterit skeptrin prej ari që mbante në dorë, dhe Esteri u afrua dhe preku majën e skeptrit. |
3 | Atëherë mbreti i tha: "Çfarë do, mbretëreshë Ester? Cila është kërkesa jote? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të të jepet". |
4 | Esteri u përgjigj: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të vijë sot mbreti me Hamanin në banketin që i kam përgatitur". |
5 | Atëherë mbreti tha: "Silleni shpejt Hamanin, që të bëhet ç`ka thënë Esteri". Kështu mbreti dhe Hamani shkuan në banketin që Esteri kishte përgatitur. |
6 | Ndërsa po shërbehej vera gjatë banketit, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet". |
7 | Esteri u përgjigj dhe tha: "Ja, kërkesa ime ajo që po kërkoj: |
8 | Në qoftë se kam gjetur hir në sytë e mbretit dhe në qoftë se mbretit i pëlqen të plotësojë kërkesën time dhe të më japë atë që kërkoj, le të vijë mbreti me Hamanin në banketin që unë do t`u përgatis atyre, dhe nesër kam për të bërë ashtu si ka thënë mbreti". |
9 | Atë ditë Hamani doli gjithë qejf dhe me zemër të kënaqur, por kur Hamani në portën e mbretit pa Mardokeun që as ngrihej as lëvizte para tij, u zemërua shumë me të. |
10 | Megjithatë Hamani e mbajti veten, shkoi në shtëpi dhe dërgoi të thërrasin miqtë e tij dhe Zereshin, bashkëshorten e tij. |
11 | Pastaj Hamani u foli atyre mbi shkëlqimin e pasurive të tij, mbi numrin e madh të bijve të tij, mbi të gjitha gjërat me të cilat mbreti e kishte nderuar, dhe si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e mbretit. |
12 | Hamani shtoi gjithashtu: "Edhe mbretëresha Ester nuk ka sjellë bashkë me mbretin në banket askënd tjetër veç meje; edhe nesër më ka ftuar ajo bashkë me mbretin. |
13 | Por tërë kjo nuk më mjafton deri sa do të shoh Mardokeun Judeun të ulur para portës së mbretit". |
14 | Aëherë bashkëshortja e tij Zeresh dhe tërë miqtë e tij i thanë: "Të përgatitet një trekëmbësh i lartë pesëdhjetë kubitë; nesër në mëngjes i thuaj mbretit që aty të varet Mardokeu; pastaj shko i kënaqur në banket me mbretin". Kjo gjë i pëlqeu Hamanit, që bëri të përgatitet trekëmbëshi. |