| Chapter 16 |
1 | Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Perëndisë. |
2 | Kur Davidi mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, ai bekoi popullin në emër të Zotit; |
3 | pastaj u ndau tërë Izraelitëve, burra dhe gra, secilit prej tyre një bukë, një racion mish dhe një sasi rrushi të thatë. |
4 | Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa Levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falenderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit; |
5 | Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jejeli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve. |
6 | Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin trombës vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë. |
7 | Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit. |
8 | Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve. |
9 | Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij. |
10 | Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin! |
11 | Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij! |
12 | Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij, |
13 | ju, o stermpa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij! |
14 | Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën. |
15 | Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza, |
16 | besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut, |
17 | që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, |
18 | duke thënë: "Unë do t`ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj". |
19 | kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend. |
20 | Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër, |
21 | ai nuk lejoi që ndokush t`i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta, |
22 | duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi". |
23 | Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij! |
24 | Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve! |
25 | Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është me friksuësi nga tërë perënditë. |
26 | Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë. |
27 | Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij. |
28 | Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë. |
29 | Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij; |
30 | dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet. |
31 | Le të gëzohen qiejtë dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron". |
32 | Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të; |
33 | atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën. |
34 | Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
35 | Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar". |
36 | I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin. |
37 | Kështu Davidi la Asafin dhe vëllezërit e tij atje përpara arkës së besëlidhjes të Zotit, me qëllim që të shërbenin vazhdimisht përpara arkës, sipas nevojave të çdo dite, |
38 | la edhe Obed-Edomin dhe të gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij (Obed-Edomi, bir i Jeduthunit dhe Hosahu si derëtarë), |
39 | dhe priftin Tsadok dhe priftërinjtë vëllezër të tij përpara tabernakullit të Zotit, në vendin e lartë që ishte në Gabaon, |
40 | me qëllim që ata t`i ofronin Zotit olokauste mbi altarin e olokausteve, vazhdimisht në mëngjes e në mbrëmje, sipas tërë atyre që janë shkruar në ligjin e Zotit, që ai ia kishte imponuar Izraelit. |
41 | Dhe me ta ishin Hemani, Jeduthuni dhe të tjerët që ishin zgjedhur dhe caktuar me emër për të lëvduar Zotin, sepse mirësia e tij është e përjetshme. |
42 | Me ta ishin gjithashtu Hemani dhe Jeduthuni me bori dhe cembale, për ata që do t`u binin veglave, dhe me vegla muzikore për të shoqëruar këngët e Perëndisë. Bijtë e Jeduthunit duhet të rrinin te porta. |
43 | Më në fund tërë populli u kthye, secili në shtëpinë e vet, dhe Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet. |