| Chapter 27 |
1 | Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah, |
2 | dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë: |
3 | "Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij. |
4 | Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë". |
5 | Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit. |
6 | Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë: |
7 | "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t`u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t`u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre. |
8 | Do t`u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t`u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t`ia kaloni bijës së tij. |
9 | Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t`ua jepni vëllezërve të tij. |
10 | Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t`ua jepni vëllezërve të atit të tij. |
11 | Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t`ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun. |
12 | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit. |
13 | Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt, |
14 | sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit). |
15 | Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë: |
16 | "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri |
17 | që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t`i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari". |
18 | Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të; |
19 | pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t`i japësh disa urdhra në prani të tyre, |
20 | dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t`i bindet. |
21 | Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja". |
22 | Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë; |
23 | pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut. |